E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëheqësit evropianë dhe kanadezë diskutojnë përpjekjet e paqes të udhëhequra nga SHBA-të në luftën Rusi-Ukrainë

Përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare në Ukrainë kanë hyrë në një fazë intensive, por tejet delikate. Udhëheqësit e Evropës dhe Kanadasë zhvilluan të martën një takim virtual për të koordinuar qëndrimet rreth planit të paqes të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që terreni u trondit nga akuza të ndërsjella mes Moskës dhe Kievit për një sulm të pretenduar ndaj Presidentit rus.

Takimi i nivelit të lartë, i cili mblodhi kryeministrin kanadez Mark Carney, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe krerët kryesorë evropianë, vjen pas takimit të drejtpërdrejtë mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe atij ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Florida.

“Paqja në horizont”, por me kushte

Kryeministri polak, Donald Tusk, u shpreh optimist pas bisedimeve, duke deklaruar para kabinetit të tij se “paqja është në horizont”, megjithëse paralajmëroi se situata mbetet e brishtë dhe marrëveshja është “larg të qenit 100% e sigurt”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Kancelari gjerman, Friedrich Merz. Përmes një reagimi në platformën “X”, Merz theksoi domosdoshmërinë e transparencës në këtë proces kritik.

“Ne po e çojmë përpara procesin e paqes. Transparenca dhe ndershmëria tani kërkohen nga të gjithë – përfshirë Rusinë,” shkroi Kancelari gjerman.

Incidenti i Valdait, sabotim apo sulm real?

Diplomacia po ecën mbi një fushë të minuar nga akuzat e fundit të Kremlinit. Moska pretendon se Ukraina lëshoi 91 dronë me rreze të gjatë veprimi drejt rezidencës zyrtare të Vladimir Putinit në Valdai (rreth 400 km në veriperëndim të Moskës), menjëherë pas bisedimeve Trump-Zelenskyy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi këtë si një tentativë për të “penguar përpjekjet e Presidentit Trump”. Megjithatë, Rusia nuk ka ofruar asnjë provë fizike apo pamje të mbetjeve të dronëve.

Ukraina e ka mohuar kategorikisht përfshirjen. Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, dhe Presidenti Zelenskyy e cilësuan pretendimin rus si një “gënjeshtër të fabrikuar” dhe një taktikë të vjetër të Moskës për të sabotuar negociatat kur ato janë afër suksesit.

Agjenda e ditëve në vijim

Pavarësisht tensioneve, kalendari diplomatik mbetet i ngjeshur. Presidenti Zelenskyy njoftoi mbledhjen e “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup prej rreth 30 shtetesh që mbështesin kushtet e Ukrainës.

Më 3 Janar, këshilltarët e sigurisë kombëtare do të mblidhen në Ukrainë.

Më 6 Janar, liderët e këtyre vendeve pritet të takohen në Francë për të konkretizuar hapat e mëtejshëm.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) vlerëson se manovrat e fundit të Kremlinit synojnë të vonojnë negociatat dhe të parandalojnë presionin perëndimor, duke shfrytëzuar çdo incident për të kërkuar lëshime në marrëdhëniet dypalëshe me SHBA-në.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›