Ilir Proda nderohet me titullin “Anëtar Nderi” nga Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë”

Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordoi titullin “Anëtar Nderi” Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, në shenjë vlerësimi për punën e mirë të Policisë së Shtetit, si dhe përkushtimin dhe profesionalizmin e saj.
Kryetari i Shoqatës, Fatjon Softa, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për mbështetjen e dhënë ndaj emisionit “Alo Policia – Siguria në Fokus”, një hapësirë komunikimi që lidh qytetarët me shërbimet e Policisë. Ai theksoi se ky bashkëpunim ka shërbyer si një dritare komunikimi që sjell pranë qytetarëve shërbimet, përkushtimin dhe sakrificat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi rëndësinë e medias si urë lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, duke nënvizuar rolin e emisionit “Alo Policia” në pasqyrimin e punës dhe sakrificës së qindra e mijëra punonjësve të Policisë që shërbejnë çdo ditë për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërive.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtuesit e shoqatës, Igli Zepishta dhe Blerta Lata, të cilët shprehën vlerësim për reagimin dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit në ndihmë të qytetarëve.
Ky vlerësim, i cili është pjesë e praktikës së ProAlbNGO, më herët iu është akorduar edhe eurodeputetëve, Senatit italian, rajonit të Lazios dhe personaliteteve të tjera për kontributin e tyre.
/rtsh.al/