FRANCË – Çifti Macron ofron prova shkencore për të vërtetuar se Brigitte është grua

PARIS, 18 shtator /ATSH/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja Brigitte, po planifikojnë të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane për të vërtetuar se zonja Macron është grua, sipas BBC.
Avokati i tyre tha se presidenti francez dhe zonja Macron do të paraqesin dokumentacionin në një padi për shpifje që kanë ngritur kundër influenceres së krahut të djathtë, Candace Owens, pasi ajo promovoi bindjen e saj se Brigitte Macron ka lindur mashkull.
Avokatët e zonjës Owens janë përgjigjur me një mocion për të rrëzuar pretendimin.
Duke folur për podkastin ”Fame Under Fire” të BBC-së, avokati i Macronëve në këtë rast, Tom Clare, tha se zonja Macron i kishte gjetur pretendimet “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe se ato ishin një “shpërqendrim” për presidentin francez.
“Nuk dua të sugjeroj që kjo e ka nxjerrë nga loja në një farë mënyre. Por, ashtu si çdokush që po përballet me një karrierë dhe një jetë familjare, kur familja juaj është nën sulm, kjo ju lodh. Dhe ai nuk është imun ndaj kësaj sepse është president i një vendi”, tha ai.
Clare tha se do të ketë “dëshmi ekspertësh që do të dalin, të cilat do të jenë të natyrës shkencore” dhe, ndërsa nuk do të zbulonte, në këtë fazë, natyrën e saktë të tyre, ai tha se çifti ishte i përgatitur të demonstronte plotësisht “si në përgjithësi ashtu edhe në mënyrë specifike” se akuzat janë të rreme.
“Është jashtëzakonisht shqetësuese të mendosh se duhet të shkosh dhe ta nënshtrosh veten, për të paraqitur këtë lloj prove”, tha ai.
Kur u pyet nëse Macronët do të jepnin fotografi të Brigitte shtatzënë dhe duke rritur fëmijët e saj, Clare tha se ato ekzistonin dhe do të paraqiteshin në gjykatë ku ka rregulla dhe standarde.
Owens, një ish-komentuese për median konservatore amerikane ”Daily Wire”, e cila ka miliona ndjekës në mediat sociale, ka promovuar vazhdimisht pikëpamjen e saj se Brigitte Macron është burrë.
Në mars të vitit 2024, ajo pretendoi se do të vinte në lojë “të gjithë reputacionin e saj profesional” mbi akuzën.
Akuza filloi në hapësirat periferike online vite më parë, veçanërisht përmes një videoje në YouTube të vitit 2021 nga blogeret franceze Amandine Roy dhe Natacha Rey.
Në korrik, Macronët ngritën një padi kundër Owens në SHBA.
Ata pretendojnë se ajo “shpërfilli të gjitha provat e besueshme që hedhin poshtë pretendimin e saj në favor të platformës së teoricienëve të njohur të konspiracionit dhe shpifësve të provuar”.
Në gusht, Emmanuel Macron i shpjegoi revistës franceze, ”Paris Match” se pse ata kishin zgjedhur të ndiqnin veprime ligjore.
“Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e nderit tim! Sepse kjo është e pakuptimtë. Kjo është dikush që e dinte mirë se kishte informacion të rremë dhe e bëri këtë me qëllim shkaktimin e dëmit, në shërbim të një ideologjie dhe me lidhje të vendosura me udhëheqësit e ekstremit të djathtë”, tha ai./ a.jor.