MOSKË – Ukraina godet rafineritë ruse pranë lumit Vollga

MOSKË, 18 shtator /ATSH-DPA/ – Ukraina ka ndërmarrë sulme me dronë ndaj rafinerive në dy rajone ruse pranë lumit Vollga, njoftuan sot autoritetet , duke vijuar fushatën e saj kundër infrastrukturës energjetike me rëndësi ekonomike për Rusinë.
Guvernatori i rajonit të Volgogradit, Andrei Bocharov, tha se qyteti me mbi 1 milion banorë u bombardua gjatë natës. Ai shtoi se disa ndërtesa banimi pësuan dëme të vogla nga rrëzimi i mbetjeve të dronëve.
Nga ana tjetër, ushtria ukrainase deklaroi se rafineria lokale e naftës u godit. “Sipas informacioneve paraprake, operacionet e rafinerisë janë ndalur,” shkruan forcat speciale në Telegram. Kjo nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Rafineria e Volgogradit konsiderohet një nga impiantet më të mëdha të përpunimit të naftës në Rusi dhe është dëmtuar edhe më herët nga sulmet. Kievi e justifikon përsëritjen e sulmeve duke thënë se rafineria prodhon karburant për ushtrinë ruse.
Një tjetër sulm ndodhi në mëngjes në rajonin fqinj të Bashkortostanit. Në qytetin Salavat, një fabrikë kimike e kompanisë shtetërore Gazprom u godit nga dy dronë, tha guvernatori Radiy Khabirov.
“Jemi duke shuar zjarrin”, shkroi ai në Telegram, duke shtuar se shkalla e dëmeve ende nuk është përcaktuar, por nuk ka viktima.
Ushtria ruse njoftoi se ka rrëzuar 43 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë gati një duzinë në rajonin e Volgogradit.
Ndërkohë që Ukraina godet rregullisht objektiva në territorin rus, përfshirë impiante energjetike, dëmet e shkaktuara mbeten më të vogla krahasuar me shkatërrimet e shkaktuara nga sulmet ruse në Ukrainë. /Ad.Ab./