E Hënë, 2 Nëntor 2026

FRANCË – Macron riemëron Lecornu si kryeministër

PARIS, 10 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron ka riemëruar në mënyrë të papritur Sébastien Lecornu si kryeministër të vendit, disa ditë pasi ai dha dorëheqjen, njoftoi Pallati Élysée sot në mbrëmje.

Lecornu, një aleat i ngushtë i Macron, mori detyrën si kryeministër vetëm katër javë më parë, por dha dorëheqjen më herët këtë javë për shkak të tensioneve qeveritare.

Macron më pas i dha dy ditë për të gjetur një rrugëdalje nga trazirat politike.

Pas bisedimeve me udhëheqësit e partive, Lecornu tha se ishte i bindur se Franca mund ta zgjidhte krizën e saj politike pa mbajtur zgjedhje të reja parlamentare.

Ai vuri në dukje se një “shumicë shumë relative” – ​​e përbërë nga disa grupe politike, duke përfshirë pjesë të opozitës së krahut të majtë – ishte e gatshme të binte dakord për një buxhet dhe të siguronte stabilitet.

Macron ka qenë nën presion të madh kohor, sepse nëse Franca me borxhe të larta dëshiron të ketë një buxhet për vitin e ardhshëm në kohë, sipas kushtetutës, ai duhet t’i paraqitet parlamentit jo më vonë se të hënën dhe nga një kryeministër.

Franca është zhytur në një bllokim politik që nga zgjedhjet e parakohshme në mesin e vitit 2024, të cilat nuk lanë asnjë kamp me shumicë.

Macron i shpalli zgjedhjet në mënyrë të papritur menjëherë pasi partia e tij pati rezultate të dobëta në zgjedhjet evropiane, duke humbur shumë vende nga e djathta ekstreme./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›