FRANCË – Ministrja Vautrin: Nuk planifikojmë të dërgojmë anije në Ngushticën e Hormuzit

PARIS, 12 mars /ATSH-AFP/- Franca nuk ka plane të dërgojë anije luftarake në Ngushticën strategjike të Hormuzit, deklaroi ministrja franceze e Forcave të Armatosura dhe Çështjeve të Veteranëve, Catherine Vautrin, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.
Në një intervistë për televizionin “France 24”, Vautrin theksoi se Parisi nuk është pjesë e luftës në rajon.
“Në këtë moment nuk bëhet fjalë për dërgimin e ndonjë anijeje në Ngushticën e Hormuzit”, tha ajo.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka paralizuar në masë të madhe transportin detar në këtë rrugë të rëndësishme energjetike, duke ndërprerë rrjedhën globale të naftës dhe gazit.
Ndërkohë, në mesazhin e tij të parë pas zgjedhjes si udhëheqës suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei deklaroi në televizionin shtetëror se mbyllja e ngushticës duhet të përdoret si një mjet presioni.
E pyetur për objektivat e Shteteve të Bashkuara të Ameirkës dhe Izraelit në këtë konflikt, Vautrin tha se situata mbetet e paqartë. Sipas saj, ende nuk dihet nëse të dy aleatët kanë të njëjtin qëllim përfundimtar.
Duke përsëritur qëndrimin e presidentit Emmanuel Macron, ministrja theksoi se prioriteti i Francës mbetet diplomacia.
“Qasja jonë është një mision diplomatik”, tha ajo, duke ritheksuar se Franca nuk merr pjesë në këtë luftë. /Ad.Ab./