FUTBOLL – Qindra gjyqtarë turq akuzohen për vënie të paligjshme bastesh

ANKARA, 27 tetor /ATSH-AFP/ – Qindra gjyqtarë turq të futbollit, përfshirë disa në nivel kombëtar, dyshohen se vënë baste në ndeshje në kundërshtim me ligjin, tha sot presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), duke premtuar sanksione të menjëhershme.
Një hetim i brendshëm i 571 gjyqtarëve zbuloi se “371 kanë llogari bastesh dhe 152 po vënë baste në mënyrë aktive”, zbuloi për shtypin Ibrahim Haciosmanoglu, kreu i federatës, në një deklaratë.
“Ne jemi të vendosur ta pastrojmë futbollin nga të gjitha gjurmët e korrupsionit. Nuk do të bëjmë përjashtime”, deklaroi Haciosmanoglu, duke shtuar se “sanksionet e nevojshme” do të vendosen “duke filluar nga sot”.
Dhjetë nga gjyqtarët e inkriminuar vendosën më shumë se 10 000 baste, me njërin prej tyre që vendosi 18 227 baste.
”Dyzet e dy gjyqtarë secili vendosën bast në më shumë se 1 000 ndeshje futbolli”, shpjegoi kreu i TFF-së.
Haciosmanoglu, sipas të cilit 22 nga 371 gjyqtarët (shtatë gjyqtarë kryesorë dhe 15 gjyqtarë ndihmës) janë gjyqtarë që luajnë në nivel kombëtar, nuk specifikoi identitetin e tyre dhe as nuk tregoi nëse ndonjëri dyshohej se kishte vënë bast në ndeshjet që ata kishin arbitruar.
E përballur me akuza për paragjykime të bëra rregullisht kundër gjyqtarëve turq, TFF-ja ua besoi VAR-in e disa ndeshjeve të Superligës turke gjyqtarëve të huaj, në pranverën e vitit 2024.
Në shkurt, një gjyqtar i huaj madje arbitroi derbin e nxehtë të Stambollit Galatasaray-Fenerbahçe, të cilët për vite me radhë i kanë akuzuar gjyqtarët se favorizojnë rivalët e tyre./ a.jor.