E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me laborator të përkthimit audiovizual

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u përurua sot laboratori i përkthimit audiovizual, i cili krijon kushte të reja për rritjen e kompetencave praktike të studentëve dhe për zhvillimin e kërkimit shkencor.

Në ceremoninë e organizuar ishin të pranishëm rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dekania e FGJH-së, prof. dr. Esmeralda Kromidha, anëtarë të projektit, pedagogë të fushës së përkthimit dhe gjuhësisë dhe studentë.

Gjatë ceremonisë së përurimit, rektori Hoxha theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore, si edhe rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si një institucion kyç në formimin akademik, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e përkthimit profesional në vend, duke vlerësuar kontributin e FGJH-së në përgatitjen e brezave të rinj të specialistëve.

Ky laborator është rezultat i projektit “Ngritja e Laboratorit të Përkthimit: Teknologji Inovative dhe Modele Europiane”, i realizuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me financim nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).

Laboratori është konceptuar si një hapësirë bashkëkohore për mësimdhënie, kërkim shkencor dhe praktikë profesionale, duke mbështetur përkthimin teknik, editorial dhe audiovizual, interpretimin, si dhe zhvillimin e teknologjive gjuhësore.

Njëkohësisht, ky laborator do t’u vijë në ndihmë institucioneve të ndryshme në vend me shërbimet e përkthimit, ekspertizën dhe mbështetjen profesionale si shërbim ndaj palëve të treta.

Laboratori ka pajisje teknologjike të avancuara, softuerë profesionalë, bazë të dhënash elektronike dhe hapësira moderne pune individuale dhe në grup.

Gjithashtu laboratori kontribuon edhe në trajtimin gjuhësor të të dhënave dhe në krijimin e korpuseve paralele në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, duke mbështetur kërkimin shkencor dhe zhvillimin e teknologjive gjuhësore.

Ky investim forcon më tej rolin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja si qendër referimi në fushën e përkthimit dhe teknologjive gjuhësore, duke i bërë studentët tanë më konkurrues në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar të punës.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›