SOFJE – Radev në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dorëheqjen

SOFJE, 20 janar /ATSH-BTA/- Presidenti bullgar, Rumen Radev i ka dorëzuar dorëheqjen e tij Gjykatës Kushtetuese dhe kreu i shtetit po pret vendimin e saj, bëri të ditur sot Zyra e Shtypit e presidentit.
Në një fjalim drejtuar dje kombit , Radev njoftoi se po jepte dorëheqjen nga posti i presidentit.
Ai është presidenti i vetëm bullgar deri më sot që ka lënë detyrën përpara përfundimit të mandatit të tij.
Më vonë gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese njoftoi në një komunikatë për shtyp se kishte hapur Çështjen nr. 3 të vitit 2026 në lidhje me dorëheqjen e presidentit.
Kryetarja e Gjykatës, gjyqtarja Pavlina Panova është caktuar raportuese e çështjes.
Ndërsa afati brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë për dorëheqjen nuk është i përcaktuar saktësisht, i vetmi precedent deri më tani (dorëheqja e Blaga Dimitrovës nga posti i nënpresidentes në vitin 1993) tregon se një vendim i tillë nuk merr më shumë se një javë.
Një vendim i tillë nuk kërkon marrje provash, kërkim vëzhgimesh apo dëgjim palësh.
Gjykata thjesht duhet të konstatojë se presidenti ka dhënë dorëheqjen me vullnet të lirë.
Pas kësaj, Radev do të lirohet menjëherë nga detyra dhe zëvendëspresidentja, Iliana Iotova do të marrë kompetencat e tij për pjesën e mbetur të mandatit, pra deri në janar 2027./ /Ad.Ab./ a.jor.