E Diel, 1 Nëntor 2026

Falen kamatëvonesat për kontributet e prapambetura – Lehtësimi për fermerët debitorë, nëse kontributet paguhen brenda këtij viti

Të gjithë fermerët që kanë vite të prapambetura në pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përfitojnë një lehtësim të ri ligjor.

Nëse ata zgjedhin t’i derdhin kontributet brenda këtij viti kalendarik, nuk do të penalizohen me kamatëvonesa apo gjoba, duke u dhënë mundësinë të plotësojnë vitet e punës për përfitimin e pensionit.

“Çdo fermer i cili plotëson kushtet ligjore për tu vetëpunësuar në bujqësi ka të drejtën për të mbuluar periudha të vjetërsisë në punë nga 1 tetori i vitit 1993 dhe deri në vazhdim. Në vitin 2025 përveç detyrimit duhet të paguajnë edhe një kamatëvonesë për çdo ditë vonesë nga janari i vitit 2015 dhe në vazhdim. Ndërsa duke filluar nga 1 janar i 2026 me ligjet e fundit, fermerët nuk do të paguajnë më kamatëvonesë por do të mbulojnë masën kontributeve”, u shpreh Riza Ashimi, Specialist i përfitimeve pranë DRSSH Korçë.

Ligji i sigurimeve parashikon gjithashtu ndryshime mes fermerëve të zonave fushore dhe atyre të zonave malore, në masën e kontributeve.

“Në rastin e rretheve Korçë, Pogradec dhe Devoll do të paguhet 38 mije e 400lek në vit ndërsa për zonat malore që futet vetëm rrethi i Kolonjës do të paguhet 29 mijë e 400 lek në vit që nga periudha e vitit 1993”, tha ai.

Falja e kamatëvonesave konsiderohet një mundësi për shumë fermerë që të rregullojnë detyrimet dhe të sigurojnë vitet e nevojshme për një pension të plotë.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›