Falja e detyrimeve tatimore në Lezhë, nënkryetarja e Bashkisë thirrje bizneseve: Përfitoni nga lehtësitë që ofron skema

Nga 10 qershori hyn në fuqi skema e re për faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore, një lehtësi për bizneset edhe në Lezhë. Nënkryetarja e Bashkisë, Brikena Vuksani, u ka bërë thirrje subjekteve private të informohen dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për sistemimin e detyrimeve të prapambetura dhe forcimin e stabilitetit financiar.
“Nëse dhe subjekti juaj ka detyrime tatimore për taksa e tarifa vendore ndaj Bashkisë Lezhë, atëherë ju jeni automatikisht përfitues i këtij ligji. Për detyrimet që ju përkasin periudha tatimore deri më 31 dhjetor të vitit 2014, atëherë fshirja kryhet në mënyrë automatike, pa pasur nevojë që ju të kryeni ndonjë veprim shtesë, pa pasur nevojë që ju të paraqiteni pranë bashkisë Lezhë apo që të kryeni ndonjë pagesë. Në të njëjtën mënyrë fshihen gjobat dhe kamatvonezat. Nëse detyrimi juaj i përket periudhës nga data 1 janar e vitit 2015 deri në 31 dhjetor të vitit 2019, atëherë ju përfitoni nga shuarja e pesshme e detyrimeve tatimore”, deklaroi Brikena Vuksani nënkryetare e Bashkisë Lezhë.
Sipas skemës së re, detyrimet deri në fund të vitit 2014 do të fshihen plotësisht, ndërsa për periudhën 2015-2019 bizneset mund të përfitojnë falje të pjesshme të principalit dhe heqje të gjobave e interesave. Për detyrimet e viteve 2020–2024 nuk falet principali, por hiqen penalitetet nëse pagesat kryhen brenda vitit 2026. Skema përfshin edhe lehtësi për subjektet e mbyllura dhe deklarimet e vonuara financiare.
/RTSH/