Kontrolle në Gjirokastër për parandalimin e murtajës, monitorohen 51 ferma dhe akset rrugore

Në kuadër të masave parandaluese ndaj përhapjes së sëmundjes së murtajës, Sektori Veterinar në Gjirokastër ka intensifikuar kontrollet në terren, duke ushtruar monitorime në 51 ferma blegtorale si edhe në akset kryesore rrugore të qarkut. Qëllimi i këtyre kontrolleve është mbajtja nën vëzhgim e situatës epidemiologjike dhe parandalimi i çdo rreziku të mundshëm për përhapjen e sëmundjes në territor.
“Qarku i Gjirokastrës ka në monitorim 59 ferma me shtrirje gjeografike nga zona më e thellë deri në qytet ku do të merren 1181 kampione serologjike dhe pas rezultateve laboratorike do të shikojmë dhe ecurinë sipas protokollit, sipas urdhërit dhe sipas programeve të miratuara. Situata epidemiologjike në qarkun Gjirokastër paraqitet e qetë. Veterinerët janë duke kryer profilaksinë veterinare”, deklaroi Flora Zharkalli Përgjegjëse e sektorit veterinar.
Kjo e fundit shprehet se deri më tani nuk është konstatuar asnjë rast i dyshuar apo shenjë e pranisë së sëmundjes, megjithatë strukturat veterinare mbeten në gatishmëri të plotë.
“Fermerëve ju bëj thirrje të evitojnë kontaktet me tufat e tjera. Sapo të shikojnë që në fermë kanë probleme me bagëtinë, të lajmërojnë shërbimin veterinar”, u shpreh Zharkalli.
Autoritetet veterinare theksojnë se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin, si pjesë e planit të masave për garantimin e sigurisë shëndetësore në sektorin blegtoral.