E Diel, 1 Nëntor 2026

Falja fiskale, brenda 20 ditësh publikohet lista e subjekteve përfituese

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Administrata Tatimore bën të ditur se, në zbatim të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë”, brenda 20 ditëve nga hyrja në fuqi e udhëzimit përkatës do të hartohet lista e plotë e subjekteve që përfitojnë nga fshirja ose shuarja e detyrimeve tatimore, si dhe lista e subjekteve që nuk përfitojnë.

Sipas Administratës Tatimore, njoftimi për secilin tatimpagues do të dërgohet elektronikisht përmes sistemit “e-Filing”, ndërsa pas përfundimit të procesit do të vijojë kompensimi automatik i tepricës kreditore të TVSH-së ose tatimeve të tjera me detyrimet tatimore ekzistuese.

Ligji parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave deri më 31 dhjetor 2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk falet detyrimi principal.

Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019, subjektet mund të përfitojnë nga shuarja e 50% të principalit nëse pjesa e mbetur paguhet njëherësh nga 10 deri më 30 qershor 2026. Ndërsa, në rast se paguhet 75% e principalit deri më 31 dhjetor 2026, shuhet 25% e mbetur. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Për detyrimet e periudhës 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024, ligji parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave me kusht që të paguhet i plotë detyrimi principal deri më 31 dhjetor 2026.

Ndër përfitimet e tjera të parashikuara nga ligji përfshihet edhe fshirja e detyrimeve për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31 dhjetor 2024, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Po ashtu, do të fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave tatimore për periudhat deri më 31 dhjetor 2024, nëse deklaratat dorëzohen deri më 30 qershor 2026, si dhe gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimeve për destinimin e fitimit.

Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e gjobave dhe interesave të krijuara si pasojë e ndryshimeve në listëpagesa nga akte me efekt prapaveprues ose vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe fshirjen e gjobave administrative të krijuara deri më 31 dhjetor 2024.

Nga përfitimi përjashtohen subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore apo doganore, subjektet në hetim ose proces gjyqësor për këto vepra, si dhe ato ndaj të cilave ka një vendim të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore.

Tatimpaguesit që ndodhen në proces ankimi administrativ ose gjyqësor mund të përfitojnë nga ligji vetëm nëse heqin dorë nga ankimi ose padia, duke paraqitur kërkesë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse nga data 10 qershor 2026 deri më 30 nëntor 2026.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të kryejnë pagesat brenda afateve të përcaktuara për të përfituar nga lehtësitë fiskale të parashikuara në ligj.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›