e-Albania 2.0, mbi 53 mijë shërbime publike online në një ditë

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Platforma kombëtare e shërbimeve elektronike e-Albania 2.0 vijon të lehtësojë aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet publike, duke ofruar procedura të shpejta dhe tërësisht online.
Sipas të dhënave të publikuara nga e-Albania dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, vetëm gjatë datës 25 maj janë marrë 53 976 shërbime publike përmes platformës.
Nga këto, 27 685 janë aplikime online të kryera nga qytetarët dhe bizneset, ndërsa 26 291 dokumente janë pajisur me vulë elektronike në kohë reale.
Po gjatë kësaj date, 66 187 dokumente janë dërguar në seksionin “Dokumentet e mia”, duke u krijuar përdoruesve mundësinë për t’i ruajtur dhe aksesuar ato në çdo moment përmes platformës.
Të dhënat tregojnë gjithashtu rritjen e përdorimit të platformës, me 752 përdorues të rinj të regjistruar vetëm në 24 orë.
e-Albania 2.0 është pjesë e procesit të digjitalizimit të administratës publike dhe synon të ofrojë shërbime më të shpejta, për qytetarët e bizneset pa qenë nevoja për paraqitje fizike pranë institucioneve.

/e.xh/a.f/