Faqe interneti me informacione për vizat hyrëse në Shqipëri, MEPJ: Nuk është e autorizuar për shërbime

TIRANË, 5 prill/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot se në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e një faqeje me materiale të ngjashme me ato të publikuara në faqen zyrtare të institucionit për vizat hyrëse.
Faqja ka adresën https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/
MEPJ saktësoi se kjo faqe përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuadër, MEPJ sqaroi se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave. Sipas MEPJ, faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtohen qytetarët është: https://e-visa.al/ MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm. “Organet e sigurise kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar cdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjes sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme.