Veseli në Hagë: Drejtësia mund të vonohet por jo të mohohet

PRISHTINË, 18 shkurt /ATSH/ Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli tha sot para trupit gjykues në Hagë se “drejtësia mund të vonohet por nuk mund të mohohet”.
Në Gjykatën Speciale të Kosovës, në Dhomat e Specializuara në Hagë, u zhvillua sot seanca e fundit gjyqësore para shpalljes së vendimit në ngarkim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Katërshja udhëheqëse e UÇK-së po jep konkluzionet përfundimtare.
Veseli në fjalën e tij u shpreh se, “unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë ligjore”.
“Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë. Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm.”
“Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.
Ai tha se u kthye në Kosovë, meqë nuk ka mundur që qëndrojë indiferent para vuajtjeve që po përjetonte populli i tij.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga muaji nëntor i vitit 2020, akuzohen nga Zyra e Prokurorit Speciale për krime lufte, duke kërkuar nga 45 vite burg për secilin nga të pandehurit.
Gjyqi në Hagë mbylli sot punimet, ku mbrojtja kërkoi pafajësi të plotë për të katërt të pandehurit, teksa brenda 3 muajve trupi gjykues duhet të dalë me vendim.
Sot, gjatë seancës, të pranishëm ishin dhe një numër i madh familjarësh. Në këtë seancë merr pjesë edhe zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur më 9 shkurt. Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka filluar më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
/KosovaPress/