E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fest 64 nis prezantimin e artistëve në Instagram, 28 këngët konkurruese do të publikohen në nëntor

Ashtu sikurse ishte paralajmëruar nga stafi i Fest 64, tashmë në faqen zyrtare të Festivalit në Instagram kanë nisur të prezantohen një nga një artistët pjesëmarrës në festival, së bashku me titullin e këngës së tyre përkatëse.

Deri më tani janë prezantuar grupi “2 Farm”, artisti Alis dhe Endri Kaçaçi ndërsa në ditët në vijim do të prezantohen të gjithë artistët pjesëmarrës në garën e këtij edicioni, ndërkohë që në muajin nëntor, 28 këngët konkurruese do të publikohen të plota në faqen zyrtare të RTSH në YouTube, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar për Fest 63, për t’i dhënë mundësinë publikut të gjerë që të njihet dhe familjarizohet me këngët dhe po ashtu për t’i dhënë kohën e mjaftueshme publikut për të votuar në fund për të preferuarën e tyre.

Edicioni i Fest 64 do të vijë me një identitet të ri artistik nën konceptin “Neo Albanian Future”, një vizion që synon të ndërthurë rrënjët tradicionale me frymën bashkëkohore.

Në emisionin “Çasti i Duhur” në RTSH, drejtoresha artistike e Fest 64, Elhaida Dani, u shpreh se ky koncept do t’i japë festivalit një identitet më modern, pa humbur autenticitetin, duke u bazuar në punë të fortë dhe ruajtjen e vlerave, që e kanë bërë atë unik ndër vite.

“Vizioni im për  këtë vit është që të mos humbasim autenticitetin, të rritemi, të bëjmë gjëra të reja, sepse një artist i mirë nuk kopjon asnjëherë nga një sukses i dikujt tjetër apo qoftë edhe i veti,” tha ajo.

Teksa premtoi serish një edicion të paharrueshëm krah një ekipi profesionistësh, të cilët tashmë kanë nisur përgatitjet për Festivalin e fundvitit, Dani zbuloi po ashtu se shumë shpejt do ta shohim edhe në rolin e moderatores në podkastin që do t’i dedikohet Fest 64, ku të gjithë artistët do të kenë mundësi të tregojnë më tepër për sa i përket këngëve të tyre dhe jo vetëm.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›