Rama: Shqiptarët nuk mund t’i japin mandat bufit të shkojë në BE dhe t’i thotë do t’ju ngre tavanin

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë e vajzat e qarkut Korçë.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se “në Tiranë ata që merren me negociatat, një pjesë e tyre janë nëpër zyra, punojnë pa orar, sepse përndryshe nuk e kapim afatin dhe nëse ne nuk kapim afatin mund të mbyllet dera, siҫ i është mbyllur Maqedonisë, siҫ i është mbyllur të tjerëve, siҫ i është mbyllur Malit të Zi për kaq shumë vite. Mund ta lejojmë ne këtë?”.
“Dera mund të mbyllet dhe për një arsye shumë të thjeshtë dhe sikur mos të ishte këneta në anën tjetër, por të ishin disa burra normalë, jo ҫyryk. Prapë vetëm koha sa të vijë një qeveri tjetër, sa të bëhet qeveria, e gjithë ҫoroditja, e gjithë historia, ikin 6 muaj nuk kapet më 2027-a, mbyllet dera. Edhe sikur, jo më, nuk ndodh, por imagjinoni ju që shqiptarët të votojnë për t’i dhënë mandat bufit të kënetës të shkojë në BE e të flasë me ata, pasi ata kanë ndryshuar komplet bindje për Shqipërinë, kanë ndryshuar komplet vlerësim për Shqipërinë, pasi sot Shqipëria është një vend i respektuar ndërkombëtarisht si kurrë më parë shqiptarët t’i thonë prit se keni bërë gabim që na keni respektuar se ne jemi këta. Edhe t’ua ҫojmë bufin atje t’i thotë do t’ju ngre tavanin. E patë do t’ju ngre tavanin i tha atij. Është diҫka që ne nuk mund ta bëjmë”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se, BE na duhet shumë.
“Ajo pasaportë atje nuk është një mjet udhëtimi, ajo është një status dinjiteti, barazie në dinjitet me ҫdo evropian. Dhe nga ana tjetër BE na duhet sepse nëse sot për herë të parë Shqipëria, populli shqiptar po shikon një përpjekje për barazi ara ligjit kjo erdhi si rezultat i angazhimit të PS-së me reformën në drejtësi. Kjo erdhi si rezultat i bindjes sonë që për të hyrë në BE ne duhet të kalonim detin në këmbë dhe duhet ta bënim reformën në drejtësi duhet ta dorëzonim shpatën e ndëshkimit që që nga 1912 e ka mbajtur qeveria tek drejtësia”, theksoi Rama.
“Dhe kur unë thosha duam një drejtësi që të godasë majtas djathtas, e thosha sepse e besoj edhe sot e gjithë ditën që vetëm kështu mund të kemi një drejtësi të drejtë dhe të barabartë. Por ama harrojeni se ajo drejtësi e drejtë dhe e barabrtë është e garantuar nëse mbetet në dorë të kujt do qeverisi në Tiranë, ajo garantohet vetëm duke qenë në BE. Vetëm duke qenë pjesë e asaj familjeje, vetëm duke e bërë Shqipërinë zonjë që të ulet si ato zonjat korҫare në sallonin e Evropës”, tha Rama. /j.p/