“Festa e luleve” në Shkodër, ftesë për ta jetuar qytetin ndryshe

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Në qytetin e Shkodrës çdo pranverë organizohet “Festa e luleve”, një aktivitet i kthyer tashmë në traditë.
Kjo festë e shndërron qytetin veriperëndimor në një kopsht plot ngjyra, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga atmosfera festive në këtë qytet të njohur për oborret dhe ballkonet e mbushura plot lule.
“Shkodra sot është në festë. Në çdo cep, lule, ngjyra dhe atmosferë që të fton ta jetosh qytetin ndryshe”, shkruan Rama.
Rrugët kryesore dhe sheshet e qytetit janë zbukuruar me instalacione artistike të krijuara me lule shumëngjyrëshe duke krijuar një atmosferë festive.
Një nga pikat më të frekuentuara gjatë festës është Pedonalja e Shkodrës, ku po zhvillohen panaire me lule, aktivitete kulturore dhe performanca artistike.
Festa e Luleve ka edhe një ndikim të rëndësishëm në promovimin e turizmit lokal. Bizneset e vogla, artizanët dhe fermerët e zonës përfitojnë nga fluksi i vizitorëve, duke prezantuar produktet e tyre dhe duke gjallëruar ekonominë vendase.
Bahçet shkodrane janë të njohura për lulet shumëngjyrëshe e plot aromë si karafilat, trëndafilat, luleborën, lulekrapin, etj., që i kanë dhënë këtij qyteti jo vetëm emrin, por edhe bukurinë e hijeshinë.
Kjo festë e nisur sot do të vijojë deri në 6 maj me një program të pasur aktivitetesh për të gjitha grupmoshat.
/k.s/r.e/