E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, surprizat e edicionit të 19-të të shtunën në Korçë

Një sërë surprizash do të sjellë edicioni i 19 i Festivalit Ndërkombëtar të Karnavaleve që do të zhvillohet përgjatë gjithë ditës së shtunë të 6 qershorit.

“Gjatë gjithë ditës, rrugët dhe sheshet e Korçës do të mbushen me ngjyra, muzikë dhe atmosferë festive. Miq nga Greqia, Rumania, Serbia, Polonia dhe komuniteti Arbëresh do t’i bashkohen edicionit të 19-të të Karnavaleve, duke sjellë kulturën dhe traditat e tyre në këtë festë të veçantë. Mbi 25 grupe nga qyteti do të kontribuojnë me energjinë dhe kreativitetin e tyre, ndërsa Qendra Rinore do të hapë dyert për fëmijët, të cilët do të kenë në dispozicion një hapësirë festive me aktivitete argëtuese, face painting dhe plot surpriza.

Kulmi i festimeve do të jetë parada madhështore e orës 19:00, e cila do të nisë nga Lëndina e Lotëve dhe do të përshkojë rrugët kryesore të qytetit. Për herë të parë, këtij edicioni do t’i bashkohen edhe gratë e diasporës shqiptare nga Athina, duke i dhënë festës një dimension edhe më të veçantë.

Mbrëmja do të vazhdojë në Pazarin e Vjetër me Karnaval Party, muzikë live, DJ dhe një atmosferë festive që do të zgjasë deri në orët e vona. Korça është gati të mirëpresë një tjetër edicion plot ngjyra, gëzim dhe energji pozitive”, Lorena Saro, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun, Bashkia Korçë

Sezoni veror në Korçë nuk duhet humbur pasi një sërë aktivitetesh të tjera kombëtare e ndërkombëtare do të zhvillohen për ti dhënë edhe më shumë ngjyra qytetit.

Saro ka ftuar të gjithë banorët por edhe vizitorët që të bëhen pjesë e festimeve dhe të zbulojnë magjinë që Korça ka për të ofruar.

Gazetare: K. Koçi 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›