Gjykata e Posaçme dënon tre të pandehur për trafik armësh dhe grup kriminal; shpallet i pafajshëm Rifat Avdiaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka përmbyllur sot procesin gjyqësor ndaj katër të pandehurve: Adulla Hoxhaj, Admir Tutaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj, të akuzuar për vepra penale në fushën e trafikut të armëve dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Rudina Palloj dhe Atalanta Zeqiraj, përmes vendimit nr. 46, datë 03.06.2026, ka vendosur dënimin e tre prej të pandehurve, ndërsa ka shpallur pafajësinë për të pandehurin Rifat Avdiaj, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij nga paraburgimi.
Dënimet për të pandehurit
Gjykata ka aplikuar gjykimin e shkurtuar për të gjithë të pandehurit, duke zbritur një të tretën e masës së dënimit sipas nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale. Vendimet përfundimtare janë si më poshtë:
Adulla Hoxhaj, u shpall fajtor për veprat penale të “Trafikimit të armëve dhe municionit” në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë”. Në bashkim të dënimeve dhe pas zbritjes së gjykimit të shkurtuar, ai është dënuar përfundimisht me 8 vjet e 8 muaj burgim.
Admir Tutaj, u shpall fajtor për “Trafikim të armëve” dhe “Grup të strukturuar kriminal”. Ai është dënuar përfundimisht me 8 vjet burgim.
Bojken Turtulli gjithashtu i shpallur fajtor për të njëjtat akuza si Tutaj, është dënuar përfundimisht me 8 vjet burgim.
Të tre të dënuarit do ta vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
Pafajësia për Rifat Avdiaj
Gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Rifat Avdiaj, pasi sipas arsyetimit:
“Nuk provohet që i pandehuri e ka kryer veprën që akuzohet.”
Si pasojë, gjykata ka urdhëruar heqjen e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm të tij.
Konfiskimi i provave materiale
Në përfundim të procesit, gjykata vendosi konfiskimin e një arsenali të gjerë armësh dhe municionesh të sekuestruara në banesën e të pandehurit Adulla Hoxhaj më 1 gusht 2024. Ndër sendet e konfiskuara përfshihen pistoleta të markave të ndryshme, një automatik, silenciatorë, pajisje optike, si dhe veshje ushtarake.
Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që një sërë pasurish të luajtshme, përfshirë automjete të markave Volkswagen, Toyota, Audi dhe Volvo, si dhe një motoçikletë, të qëndrojnë në kuadër të hetimit financiar dhe pasuror në vazhdim.
Palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda një afati prej 15 ditësh, duke filluar nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
/rtsh.al/