SPAK jep pretencën për të pandehurit e dosjes “Veliaj”, kërkohen 28 vite burg në total, për Bushkën dhe Xhanin vetëm gjobë

SPAK ka kërkuar gjithsej 28 vite burg për gjashtë të pandehur në dosjen “Veliaj”, të cilët po gjykohen me procedurë të shkurtuar. Për disa të pandehur dhe kompani është kërkuar vetëm gjobë.
Biznesmeni Elman Abule, i akuzuar për pastrim parash, rrezikon 7 vite burg, që me gjykimin e shkurtuar zbresin në 4 vite e 8 muaj.
Të njëjtin dënim SPAK ka kërkuar edhe për Ina Goxhajn dhe Adela Kondakçiun, megjithëse për këtë të fundit është kërkuar shuarja e dënimit për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë.
Për biznesmenin Fatmir Bektashi është kërkuar 1 vit burg për korrupsion, por që të zëvendësohet me punë në interes publik. Ndërsa për gardianin e burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i akuzuar se i dha telefon Erion Veliajt gjatë transportimit në gjykatë, SPAK kërkon 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, me mundësi shlyerjeje përmes shërbimit të provës.
Për Frosina Bollon është kërkuar 1 vit burg, që me gjykimin e shkurtuar zbret në 8 muaj. Ndërkohë, për ish-deputeten Klotilda Bushka dhe Flutura Xhanin, të akuzuara për pengim të drejtësisë, SPAK ka kërkuar dënim me gjobë prej 400 mijë lekësh secila pas uljes nga gjykimi i shkurtuar.
Edhe disa kompani dhe organizata të lidhura me të pandehurit janë përballur me kërkesa për gjoba financiare.
/rtsh.al/