E Diel, 1 Nëntor 2026

Festivali “Shpirti i Ballkanit”! Grupe nga vende të ndryshme performojnë vallet tradicionale

Është mbajtur edicioni i 7-të i Festivalit “Shpirti i Ballkanit” në Korçë, ku grupet e ndryshme ballkanike kanë parakaluar në rrugët kryesore të qytetit e më pas kanë performuar vallet e tyre karakteristike.Blerta Belliu, organizatore e këtij festivali, tregon se ndryshe nga herët e kaluara, këtë herë pjesë e festivalit është bërë dhe muzika jazz.

Grupet që vijnë nga Ballkani tregojnë se kostumet dhe muzika ndryshojnë nga vendi në vend, ndërsa këtë vit pjesë është bërë dhe një grup nga Franca.

“Vijmë nga Franca. Në fakt ne nuk jemi ballkanistë, por një qytet në Ballkan është totalisht frankofon si Korça. Ne e duam këtë vend, jemi si në shtëpinë tonë dhe kemi ardhur me një grup nga zona jonë për të sjellë kostumet tradicionale dhe këngët tona tipike.”

“Kemi sjellë kostumet kombëtare dhe dy vallet tona. Ky është kostumi jonë, ne me krenari themi se është kostumi më i bukur në Ballkan. Kostumet në rajon nuk janë të njëjtat, por muzika po.”

“Shpirti i Ballkanit tregon diçka që shpesh keqkuptohet: dashurinë që ne kemi për njëri-tjetrin. Ky festival na bën bashkë çdo vit dhe ne vijmë plot qejf. Unë mendoj se kostumet janë pothuajse të ngjashme, njësoj edhe këngët tradicionale.”

Kostumet i kanë shijuar jo vetëm qytetarët e Korçës, por edhe turistët e shumtë që kanë zgjedhur juglindjen për të pushuar.

“Është hera e tretë që vij në Shqipëri. Që herën e parë jam mahnitur me mikpritjen e njerëzve, ndaj e vij. Turizmi ka ndryshuar. Gjërat shihen lehtë sot, por kjo mikpritje është e rrallë, ndaj vij. Dhe ku mund të shohësh kaq kostume të bukura, shumëngjyrëshe, diku tjetër përveçse në Korçë?”

“Korça është interesante sepse ka modernizëm dhe tradicionalizëm. U surprizuam me këtë event kostumesh, vajzat janë kaq të bukura, kostumi shqiptar duket shumë i bukur.”

Operatorët turistikë tregojnë se këtë vit numri i vizitorëve është më i lartë se viti i kaluar, ndaj dhe për këtë bashkia e këtij qyteti ka planifikuar një kalendar të ngjeshur artistik gjatë sezonit veror.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›