E Diel, 1 Nëntor 2026

Fidanë të rinj në Parkun Kombëtar Shebenik, Rama: Pyllëzimi vijon në gjithë vendin

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të shtunë pamje nga mbjellja e fidanëve të rinj pranë Parkut Kombëtar Shebenik.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka theksuar se mbjelljet e reja synojnë rigjenerimin e sipërfaqeve pyjore.

Ai u shpreh se procesi i pyllëzimit po vijon në të gjithë vendin edhe në këto ditë fundviti, ndërsa çdo fidan i mbjellë përbën një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e ekosistemeve natyrore dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të gjelbër.

“Në Parkun Kombëtar të Shebenikut janë shtuar fidanë të rinj gështenje të egër dhe qershie të egër, falë punës së përbashkët të Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan dhe PPNEA. Pyllëzimi vijon në gjithë vendin edhe në këto ditë fundviti, ku çdo fidan i mbjellë është një hap më shumë për mbrojtjen e ekosistemeve natyrore dhe për të ardhmen e gjelbër”, shkruan Rama.

Ky aksion është pjesë e nismës së qeverisë për pyllëzimin e zonave të mbrojtura dhe rritjen e sipërfaqeve të gjelbra në vend, duke synuar ruajtjen e biodiversitetit dhe përmirësimin e ekosistemeve natyrore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›