E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fieri starton vaksinimin sezonal, fushata nis më herët për të shmangur rritjen e rasteve me grip

Fushata e vaksinimit kundër gripit ka nisur në të gjitha qendrat shëndetësore të Fierit, Patosit dhe Roskovecit. Këtë vit, aplikimi u startua më herët për të rritur efektivitetin e mbrojtjes ndaj një shpërthimi të pritshëm të virusit në tetor.

Shefja e epidemiologjisë pranë Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Fier, Anila Moçi, shpjegon se vaksina krijon antitrupat brenda tre javësh dhe deri tani janë aplikuar 5 700 doza.

“Kemi hyrë në sezonin e vjeshtës dhe dihet që dominojnë virozat respiratore. Më dominant është virusi i gripit. Për këtë arsye të marrim masat që në fillim të këtij sezoni për vaksinimin e popullatës me risk, sepse janë ata personat që e kalojnë më keq. Ka pasur edhe fatalitete,” thotë mjekja epidemiologe.

Fieri renditet ndër qarqet me shifra të larta vaksinimesh. Për këtë sezon janë vënë në dispozicion 27.600 doza, rreth 300 më shumë se vitin e kaluar. Po tregojnë interes jo vetëm personeli shëndetësor, por edhe prindërit e fëmijëve si dhe mësuesit.

“Në këtë vit kemi fokus gratë shtatzëna, mësuesit, sepse edhe mësuesit janë ndër portatorët shumë të mirë nga klasa në shtëpi, dhe duam që të konceptohet kjo vaksinë edhe te fëmijët, pra mbi 6-muajsh deri te 11 vjeç,” tregon Dr. Moçi.

Aktualisht në qarkullim është edhe koronavirusi. Sipas Moçit, rritja e testimeve ka sjellë më shumë raste të evidentuara me kovid.

“Pretendohet që është rritur kovidi. Absolutisht ka rritje, por duhet të mos harrojmë që ka edhe rritje të testimeve,” thekson mjekja.

Në Fier aplikohet një e dhjeta e dozave në shkallë kombëtare. Kjo ka ulur ndjeshëm viktimat nga komplikacionet e gripit, duke i kufizuar në një ose dy raste në vit, kryesisht tek të moshuarit me sëmundje kronike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›