Filo pret ambasadorin e Holandës, në fokus mbështetja për fermerët

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo priti në një takim ambasadorin e Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, si dhe këshilltarin e Agrikulturës për Ballkanin Perëndimor, Michel van Erkel, me të cilët diskutoi mbi bashkëpunimin dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit u ndalën te rëndësia e mbështetjes për fermerët, zhvillimi i mëtejshëm i sektorit bujqësor dhe roli i bashkëpunimit me Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës për përgatitjen e specialistëve të rinj në këtë fushë.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe rëndësia e digjitalizimit në bujqësi, rritja e mundësive për praktika profesionale për studentët, si dhe ndërtimi i partneriteteve të qëndrueshme mes institucioneve vendore, universiteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Filos, bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, si Holanda, që ka një përvojë të avancuar në sektorin e bujqësisë, përbën një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave dhe për forcimin e kapaciteteve në këtë sektor.
Takimi shënoi si një hap pozitiv për të nxitur projekte dhe iniciativa që mbështesin zhvillimin e bujqësisë, përmirësimin e teknologjive dhe rritjen e mundësive për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë sektor në rajonin e Korçës.
1 nga 3/e.xh/j.p/r.e/