E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimet në Lindjen e Mesme, PD kërkon seancë dëgjimore me Kryeministrin në Komisionin e Jashtëm

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Politikën e Jashtme, kanë kërkuar seancë dëgjimore me kryeministrin Edi Rama, për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimin e sulmeve në rajon.

Në kërkesën drejtuar kryetarit të komisionit për Çështjet Evropiane dhe Politikën e Jashtme, Igli Hasani, deputetët e PD-së propozojnë që më 9 mars 2026 të zhvillohet një seancë ku Rama të informojë mbi situatën dhe masat që janë marrë nga qeveria.

“Ne, një grup deputetësh, anëtarë të Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Politikën e Jashtme, kemi ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe përshkallëzimin e sulmeve në rajon. Duke pasur parasysh zhvillimet e shpejta dhe të paparashikueshme në atë zonë dhe mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës, kërkojmë mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane dhe Politikën e Jashtme në një seancë dëgjimore me kryeministrin Edi Rama më datë 9 mars 2026”, thuhet në kërkesë.

Sipas tyre “qëllimi i kësaj seance është informimi mbi masat e marra për sigurinë e jetës së shtetasve shqiptarë që jetojnë në zonat e rrezikuara, si dhe mbi vlerësimin e rrezikut që mund t’i kanoset vendit tonë dhe nivelin e bashkëpunimit me aleatët përballë këtyre rrethanave”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›