“Foltorja” para Kryeministrisë, Berisha: Nesër në kryengritjen paqësore ta çojmë zërin tonë deri në Bruksel

Partia Demokratike ka zhvilluar këtë të hënë protestën e radhës, të quajtur “Foltore”, përpara Kryeministrisë. Në protestë mori pjesë edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.
Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se protesta është e domosdoshme, duke akuzuar qeverinë për mungesë legjitimiteti dhe përkeqësim të gjendjes ekonomike të qytetarëve.
Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në protestën kombëtare të opozitës që do të zhvillohet ditën e nesërme.
“Protesta është e ligjshme ndaj një qeverie që vjedh qytetarët e saj, një qeveri që nuk ka asnjë legjitimitet dhe duhet të ikë një ditë e më parë. Protesta është jetike kundër një qeverie që në 13 vite varfëroi më shumë qytetarët dhe që sot kanë pensionet më të ulëta në rajon. Nesër është një ditë e madhe, është një ditë e shqiptarëve për të ardhmen e tyre, për prosperitetin e tyre, për lirinë e tyre. Nëse ne shpallim solemnisht para shqiptarëve se për opozitën integrimi në BE është e ardhmja më e shkëlqyer, pasi do të thotë qytetarë më të lirë dhe më të sigurt, Shqipëri më e zhvilluar, asgjë nuk na ndal nga kjo rrugë”, tha Berisha.
Kryedemokrati tha se zëri i shqiptarëve duhet të dëgjohet deri në Bruksel, ndërsa e cilësoi protestën e nesërme si një kryengritje paqësore.
“Nesër qytetarët të dalin të gjithë në shesh dhe shqiptarët të bashkohen që zëri ynë të dëgjohet në Bruksel dhe në mbarë Evropën, se asgjë nuk na shkëput dot nga qëllimi ynë. Nesër u bëj thirrje forcave të rendit të marrin vendimin historik, të bashkohen me protestuesit, sepse bashkohen me interesin e vendit tuaj, të familjeve tuaja, me të ardhmen e vendit. Nëse në Tiranë, në orën 17:00, në kryengritjen paqësore, në kryengritjen e së ardhmes”, tha Berisha.
Më 10 shkurt në orën 17:00 opozita zhvillon protestën kombëtare kundër qeverisë, ku kërkon largimin e saj. Në protestën e fundit kombëtare, protesta e opozitës u shoqërua me incidente dhe tensione.
/rtsh.al/