Fondet për koncertin e Kanye West, “Shqipëria Bëhet” kundërshtoi aktin normativ të qeverisë, “Kushtetuesja”: Kërkesat të paplota

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se kërkesat e depozituara nga Partia “Shqipëria Bëhet” dhe Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” për shfuqizimin e aktit normativ të qeverisë, i cili parashikon alokimin e 4 milionë eurove për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West, janë konstatuar të paplota.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, gjatë verifikimit paraprak, u konstatua se të dyja kërkesat nuk ishin të plota dhe nuk shoqëroheshin me dokumentacionin e kërkuar nga ligji.
Konkretisht, Partia “Shqipëria Bëhet” nuk kishte bashkëlidhur aktin e themelimit dhe statutin e saj, ndërsa Shoqata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” nuk kishte paraqitur dokumentacionin që provon statusin juridik, si edhe aktin e përfaqësimit për avokatët e deklaruar në kërkesë.
Për këtë arsye, Gjykata Kushtetuese i ka regjistruar të dyja si kërkesa të paplota dhe u ka kërkuar kërkuesve të plotësojnë dokumentacionin brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
/rtsh.al/