Vrasja e efektivit të policisë Enea Mekolli, Lamallari: Policia dhe AMP po hetojnë ngjarjen

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, zhvilloi sot interpelancë urgjente me deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, lidhur me ngjarjen, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Policisë së Shtetit, Dëshmori i Atdheut Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari shprehu edhe një herë ngushëllimet për familjen e efektivit të rënë në krye të detyrës, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë qenë pranë familjarëve që nga momentet e para të ngjarjes.
“Duke qenë se jemi përpara një ngjarjeje të rëndë, me humbje jete njerëzore, ku një efektiv i policisë nuk është më mes nesh dhe ashtu siç vlerësova minutën e heshtjes së mbajtur nga gjithë ju pa përjashtim, si shenjë nderimi dhe përuljeje e qytetarëve shqiptarë ndaj një punonjësi të shtetit shqiptar, ia shpreha këtë dhe familjarëve të vet, si në ditën kur unë mora lajmin, ashtu edhe në ditën më pas ku u zhvillua ceremonia e ndarjes përfundimisht me Dëshmorin e Atdheut, Enea Mekolli.
“Padyshim, asgjë nuk e kthen pas një efektiv të rënë në krye të detyrës, dhe me përulësi i dorëzova familjarëve të vet certifikatën e statusit “Dëshmor i Atdheut”, lartësimi më i madh që i jepet një martiri të Policisë. Dhe ditën e djeshme gjithashtu akorduam një ndihmë financiare për familjet, dy familjet e Enea Mekollit dhe Edison Adrit dhe kjo sigurisht do të vijojë më tej”, tha Lamallari.
Lamallari bëri me dije se ka iniciuar dhe procedurën për dhënien e mbështetjes financiare për familjen e Enea Mekollit, konkretisht të miturit që me datë 16, mbush vetëm 1 vjeç, për të përfituar nga ligji i miratuar nga kjo sallë, për fëmijët në mbrojtje të Republikës.
Ai bëri të ditur se kanë nisur hetimet administrative dhe institucionale për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, duke garantuar se çdo përgjegjësi do të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe përfundimeve të hetimit.
“Në fakt nuk ka qenë një komunikatë formale e imja, ka qenë përmbushje e detyrës time funksionale, kur edhe kam kërkuar edhe publikisht, fillimin e një hetimi të plotë të ngjarjes. Dhe mund t’ju komunikoj sot se: Po, ka nisur një hetim i tillë, si nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si dhe nga AMP, siç është rasti për çdo ngjarjeje të rëndë.
“Vetëm në përfundim të këtij hetimi, në mënyrë sa më të plotë, sa më shteruese, pa kurrfarë ndikimi politik apo çfarëdo natyre tjetër, brenda kohës së nevojshme, siç gjykohet nga hetuesit në këtë rast. Vetëm një hetim i tillë mund t’i japë përgjigje pyetjeve që ju keni adresuar dhe shumë të tjerave. Dhe nuk do të ishte as e përshtatshme, me peshën e përgjegjësisë që unë mbaj, me funksionin politik që mbart Ministri i Punëve të Brendshme, të përfshihet qoftë me komente të papërshtatshme, teksa zhvillohet një hetim”, tha ai.
Lamallari shtoi se përmbushje të detyrimit ligjor për transparencë, por edhe çdo kërkese për informacion, do t’i ndante të dhënat, sapo të ketë një përfundim të hetimeve, të cilat zhvillohen dita-ditës.
“Padyshim, ju siguroj që hetimi do të jetë i plotë, shterues, sepse bëhet fjalë për t’i dhënë drejtësi një efektivi që nuk është më mes nesh”, tha ai.
/m.q/j.p/