E Premte, 6 Nëntor 2026

Forumi BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë, ministri Gogu: Lufta kundër korrupsionit, provë kyçe e rrugës evropiane t�

Pas vlerësimit pozitiv të Komisionit Evropian, Gogu thotë se Shqipëria do të përafrojë ligjet kundër korrupsionit me standardet e BE-së dhe propozon tri përparësi për rajonin.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i pranishëm në sesionin “Dimensioni gjyqësor i luftës kundër korrupsionit” gjatë Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që mbahet në Budva të Malit të Zi më 5–6 nëntor. Forumi organizohet çdo vit dhe këtë herë u drejtua nga Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së, me pjesëmarrjen e Komisionit Evropian.

Ministri kujtoi se këtë javë Komisioni Evropian konstatoi përparim të mirë të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. Sipas Komisionit, SPAK vijon të tregojë pavarësi dhe të japë rezultate ndaj korrupsionit të nivelit të lartë. Megjithatë, Gogu tha se mbetet ende punë për të bërë.

Sipas tij, masat parandaluese duhet të jenë më efektive dhe hetimet financiare duhet të nisin më herët. Pasuritë kriminale të sekuestruara duhet të përfundojnë me konfiskim, kur këtë e lejojnë ligji dhe provat.

Gogu tha se këto konstatime i japin përgjegjësi edhe ekzekutivit. Detyra e tij është të përmirësojë kushtet ku punojnë institucionet e pavarura: të forcojë kuadrin ligjor, të sigurojë burimet dhe ta bëjë administratën më të aftë të raportojë dyshimet për korrupsion. Vendimet, theksoi ai, i marrin prokurorët në mënyrë të pavarur.

Ministri Gogu u shpreh se:

“Qeveritë mund të propozojnë ligje, të sigurojnë burime dhe të forcojnë institucionet. Ajo që nuk duhet të bëjnë kurrë është të ushtrojnë presion. Pavarësia është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme. Pas çdo vendimi korruptiv, dikush paguan çmimin. Një pacient pret më gjatë, një biznes humbet mundësinë për të konkurruar në kushte të barabarta, një qytetar kupton se rregullat vlejnë vetëm për të tjerët.“

Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030 po trajton rreziqet në prokurim, shëndetësi dhe tatime. Janë çuar përpara edhe reformat për sinjalizuesit, konfliktin e interesit, lobimin dhe financimin politik. Ministri tha se Shqipëria mirëpret Direktivën (BE) 2026/1021. Si vend kandidat, ajo do të përafrojë me këtë direktivë legjislacionin penal dhe kuadrin më të gjerë kundër korrupsionit.

Për rajonin, Gogu propozoi tri përparësi:

Të matet zbatimi i masave në praktikë. Kjo do të bëhej me tregues të krahasueshëm, si koha që duhet për ndihmën juridike të ndërsjellë dhe sa shpejt kalohet nga ngrirja e pasurive te konfiskimi. Një vlerësim i parë i përbashkët mund të paraqitet vitin e ardhshëm.

Të thellohet bashkëpunimi operacional, me më pak vonesa dhe duke respektuar plotësisht garancitë procedurale.

Të investohet te njerëzit: gjyqtarët, prokurorët, hetuesit financiarë dhe administratorët e pasurive.

Sipas tij, të tria këto përparësi mbështeten te pavarësia e atyre që hetojnë dhe gjykojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›