E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama inspekton punimet në bypass-in e Tiranës: Do ta çlirojë kryeqytetin nga trafiku! Shpronësimet do të bëhen sipas ligjit (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, ministri Enea Karakaçi dhe kreu i ARRSH-së Ami Kozeli inspektuan sot punimet në kantierin e bypass-it të Tiranës, ku sipas autoriteteve puna po ecën me ritme të kënaqshme.

Nga kantieri, kryeministri Edi Rama u ndal te ndikimi që do të ketë ky aks në lehtësimin e trafikut të kryeqytetit, por edhe te rritja e vlerës së pronave në zonë. Ai siguroi se çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit dhe me transparencë.

“Në këtë zonë është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre. Pa diskutim që çdo shpronësim do të bëhet sipas ligjit, me transparencë. Ky aks do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt. Një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes dhe pjesa tjetër do të ketë lirshmëri për të hyrë e për të dalë”, tha kryeministri Edi Rama.

Bypass-i i Tiranës është një projekt infrastrukturor me një gjatësi totale prej rreth 21.5 kilometrash, që synon të shmangë trafikun e rëndë në hyrje të kryeqytetit.

Aksi do të lidhë autostradën Tiranë–Durrës në Kashar me autostradën Tiranë–Elbasan në Mullet, si dhe do të krijojë lidhje me Korridorin Adriatiko-Jonian dhe akse të tjera rrugore.

Sipas parashikimeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, 8 kilometrat e parë të bypass-it pritet të përfundojnë brenda vitit 2027.

Ndërkohë, për 13 kilometrat e mbetur, autoritetet janë në fazën përmbyllëse të bisedimeve me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për sigurimin e financimit.

Pas përfundimit, ky aks pritet të shërbejë si një alternativë kryesore për automjetet që nuk kanë si destinacion qendrën e Tiranës, duke lehtësuar trafikun në kryeqytet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›