E Hënë, 2 Nëntor 2026

Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë dhe Politikave Globale në Londër-Linda Rama: Shqipëria gjeti lirinë në epokën e globalizmit

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama u adresua me një fjalim gjatë darkës së organizuar për të ftuarit e Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale në Londër, ku ngriti pyetjen nëse bota po jeton ende në epokën e globalizimit.

Në një adresim personal, ajo ndau përvojat e saj nga vitet ’90, kur Shqipëria po dilte nga izolimi i komunizmit, dhe reflektoi mbi ëndrrat dhe sfidat e një bote që synonte një të ardhme pa kufij.

“Kam qenë 28 vjeç kur u largova nga vendi im i vogël, në të njëjtën moshë kur përdora për herë të parë librin ‘Essential’ të gjuhës angleze për të folur me një të huaj. Mbajta kartëmonedhën e parë të dollarit amerikan dhe bëra këmbimin e parë me këtë monedhë. Kur hyra në një bibliotekë të mbushur me libra të huaj, ishte viti 1992. Sapo kisha parë dritën në fund të një tuneli shumë të gjatë,” rrëfeu znj. Rama, duke përshkruar momentin kur ëndrra për liri u bë realitet për të dhe bashkëkombësit e saj.

Ajo theksoi se ëndrra më e madhe e shqiptarëve në atë kohë ishte liria – liria për të lëvizur, për të votuar, për të folur, për të besuar ose jo në Zot dhe për të punuar.

“Ëndrra e lirisë na kishte pushtuar tërësisht, edhe pse ende nuk dinim se ç’të bënim me të apo çfarë do të sillte për jetët tona,” shtoi ajo.

Linda Rama krahasoi aspiratat e shqiptarëve për t’u integruar në botën perëndimore me ëndrrën globale të asaj kohe për një “fshat global” pa mure dhe kufij.

“Ndërkohë që ne arratiseshim nga komunizmi dhe ëndërronim të bëheshim pjesë e botës suaj, ju ëndërronit një botë përtej fundit të historisë, pa ideologji, me liri më të madhe dhe një jetesë më të mirë,” tha ajo, duke iu referuar entuziazmit të viteve ’90 për globalizimin.

Megjithatë, ajo shtoi se as shqiptarët dhe as bota nuk ishin plotësisht të ndërgjegjshëm për sfidat dhe pasojat që do të sillte ky vizion.

Ajo vuri në dyshim nëse bota ende jeton nën idealet e globalizimit, duke pasur parasysh sfidat aktuale si polarizimi politik, konfliktet rajonale dhe pabarazitë ekonomike.

“Askush prej nesh nuk ishte i ndërgjegjshëm se çfarë na priste. Ne i dimë avantazhet e globalizimit që i ka sjellë njerëzimit dhe vendeve, i ka lidhur njerëzit në mënyra të paimagjinueshme, ka bërë ekonomitë të prodhojnë më shumë, më mirë. Ka sjellë suksese të mëdha të mjekësi, energji të ripërtërishme, komunikim, muzika dhe arti rrugëtojnë të lirë , përtej kulturave duke bërë të njohim njëri-tjetrin më mirë”, tha Linda Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›