“Kapelja e kuqe në protestën për UÇK-në ishte një mesazh”, Hajdari tregon kujt i drejtohej

I ftuar në emisionin “Trialog” nën moderimin e gazetares Alba Alishani, organizatori i protestës Shkëlqim Hajdari komentoi pjesëmarrjen e tij në protestën në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe shpjegoi simbolikën e kapelës së kuqe, e cila tërhoqi vëmendjen.
“Kapelja e Trump-it u vendos me qëllim nga ana ime, duke marrë edhe miratimin e organizatorëve të protestës. Kjo për faktin se para pesë vitesh, ish-presidentit Donald Trump i arrestuan një mik rrugës, një situatë e ngjashme me atë të mikut tonë, Hashim Thaçi, i cili sot ndodhet në gjykim,” tha Hajdari.
Ai shtoi se informacionet që dalin dita-ditës, përfshirë edhe deklarimet e zyrtarëve amerikanë, sipas tij flasin në favor të mbrojtjes dhe tregojnë qartë se akuza e ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së është e fabrikuar.
“Kjo është një gjykatë me akuza të montuara. Tashmë është e qartë kush fshihet pas saj. Ne, përveç Trump-it, nuk kemi se kujt t’i drejtohemi. Historia e kësaj gjykate do të mbetet një njollë turpi për drejtësinë ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Mesazhi i tij përmes simbolikës së kapelës kuqe, në stilin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, sipas tij kishte për qëllim të nënvizonte mbështetjen për të vërtetën dhe drejtësinë ndaj figurave të historisë së Kosovës.
/rtsh.al/