E Diel, 1 Nëntor 2026

Ftesa e Trump, presidenti Zelensky rishqyrton vendimin për pjesëmarrjen në Davos

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të rishqyrtojë pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do ta ftonte atë për një takim. Vetëm një ditë më parë, Zelensky kishte deklaruar se nuk planifikonte të udhëtonte drejt Zvicrës për shkak të krizës energjetike të shkaktuar nga sulmet ruse në Ukrainë.

“Pa dyshim, unë zgjedh Ukrainën në këtë rast, në vend të forumit ekonomik, por gjithçka mund të ndryshojë në çdo moment”, tha Zelensky.

Fillimisht, Trump la të kuptohej se takimi do të zhvillohej të mërkurën, por më pas zyrtarët sqaruan se ai ishte planifikuar sot (22 janar). Zelensky ka deklaruar më herët se çdo takim me përfaqësues amerikanë duhet të sjellë rezultate konkrete për forcimin e Ukrainës ose për afrimin e përfundimit të luftës, duke theksuar se takimet do të zhvillohen vetëm nëse dokumentet përkatëse janë gati.

Ndërkohë, bisedimet mes delegacioneve ukrainase dhe të dërguarve të Trump kanë vazhduar që prej së shtunës, përfshirë edhe në Davos. Kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov konfirmoi se është takuar me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke bërë të ditur se diskutimet janë fokusuar në garancitë e sigurisë dhe rindërtimin pas luftës. Delegacioni ukrainas ka zhvilluar gjithashtu takime me përfaqësues të kompanisë amerikane BlackRock për projektet e rindërtimit.

Në të njëjtën kohë, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se do të takohej në Moskë me Witkoff dhe Kushner, për të diskutuar, mes të tjerash, përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Kjo vjen ndërsa Bashkimi Evropian po shqyrton mënyrat për të mobilizuar rreth 300 miliardë euro asete ruse për mbështetjen e Ukrainës.

Nga Brukseli, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve anëtare që të rrisin furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se nevoja për interceptorë është urgjente dhe se “koha për të vepruar është tani”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›