E Diel, 1 Nëntor 2026

Suedia dhe Danimarka mirëpresin tërheqjen e Trump nga tarifat ndaj Evropës për çështjen e Groenlandës

Suedia dhe Danimarka kanë shprehur kënaqësinë e tyre pas vendimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të tërhequr kërcënimin e vendosjes së tarifave shtesë ndaj vendeve evropiane, të lidhura me qëndrimin e tyre mbi Groenlandën.

Ky hap shihet si një lehtësim i tensioneve diplomatike dhe një sinjal pozitiv për bashkëpunimin transatlantik.

Maria Malmer Stenergaard, ministrja e Jashtme e Suedisë, deklaroi në një postim në platformën X se është një zhvillim i mirë që Trump hoqi dorë nga tarifat ndaj vendeve që mbështetën Danimarkën dhe Groenlandën.

Ajo theksoi se kërkesat për ndryshime kufijsh kanë sjellë kritika të arsyeshme dhe se vendet nordike nuk do të shantazhohen. Sipas saj, bashkëpunimi me aleatët ka pasur ndikim të dukshëm në këtë vendim.

Lars Lokke Rasmussen, ministri i Jashtëm i Danimarkës, u shpreh se mirëpret njoftimin e Trump, duke theksuar se SHBA-të nuk kanë më synim të vendosin tarifa ndaj vendeve evropiane për shkak të çështjes së Groenlandës. Ai e konsideroi këtë një hap të rëndësishëm për ruajtjen e marrëdhënieve të forta mes Danimarkës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›