Fund izolimit për 600 banorë, kryebashkiaku Beci: Drejt përfundimit ura e re në Bleran të Shkodrës

Pas dëmtimeve të rënda që shkaktuan reshjet e dendura të shiut ditët e fundit, banorët e zonës së Bleranit në rrethinat e Shkodrës po i rikthehen normalitetit. Një ndërhyrje emergjente për zëvendësimin e infrastrukturës së dëmtuar është tashmë në fazën finale.
Pas një pune intensive dhe pa ndërprerje nga ekipet e terrenit, po shkohet drejt përfundimit të montimit dhe vendosjes së urës së re metalike (të hekurt).
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur se kjo vepër është jetike për zonën. Ura e re do të rivendosë lidhjen për dy lagje kryesore, duke i dhënë fund vështirësive në lëvizje për rreth 600 banorë.
Dëmtimi i urës ekzistuese nga furia e ujërave kishte krijuar një situatë emergjente, duke izoluar zonën dhe duke bllokuar aksesin në shërbimet bazë, përfshirë edhe rrugën drejt varrezave të fshatit.
Sipas kryebashkiakut Beci, vendosja e strukturës së re metalike ishte zgjidhja më e shpejtë dhe e domosdoshme për të garantuar sigurinë rrugore.
“Puna po kryhet me ritme të shpejta për të minimizuar ndikimin tek banorët dhe për të rikthyer sa më parë normalitetin,” u shpreh Beci, duke garantuar se infrastruktura e re do të jetë më e sigurt dhe e qëndrueshme ndaj kushteve atmosferike.
Me përfundimin e kësaj ure, pritet që qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve të rifillojë plotësisht brenda një kohe të shkurtër.
/rtsh.al/