Fuqizim i shërbimeve për viktimat e dhunës me bazë gjinore

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot Konferenca Kombëtare me temë “Fuqizim, Rikuperim, Riintegrim: Fuqizimi i Shërbimeve për Viktimat e Dhunës me Bazë Gjinore”, një iniciativë që synon të avancojë cilësinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore në Shqipëri.
Organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar për Fuqizimin e Grave, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), konferenca bashkoi përfaqësues nga institucione shtetërore, organizata të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare, dhe komuniteti i profesionistëve që punojnë me dhe për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
Konferenca u organizua në kuadër të 16 ditëve kundër dhunës me bazë gjinore nën temën e fushatës kombëtare: “Asnjë Justifikim: Bashkë kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave”
Në sesionin hapës, folësit theksuan rëndësinë e forcimit të politikave kombëtare dhe përafrimit të tyre me standardet ndërkombëtare.
Etilda Gjonaj, deputete dhe raportuese e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Këshillin e Evropës, apeloi për koordinim më të mirë institucional dhe ndarjen e burimeve për viktimat.
Denada Seferi Dibra, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje të integruar për shërbimet e rehabilitimit.
Monika Zach, ambasadore e Austrisë në Shqipëri, rikonfirmoi mbështetjen e Austrisë për përmirësimin e barazisë gjinore dhe mbështetjen për projektet që ndihmojnë të mbijetuarit e dhunës.
Fiona McCluney, Koordinatore Rezidente e OKB-së në Shqipëri, solli perspektiva globale mbisfidat dhe zgjidhjet për këtë çështje.
Përvoja dhe zgjidhje praktike
Sesioni i dytë i konferencës përfshiu dëshmi të drejtpërdrejta nga të mbijetuarat e dhunës dhe ndau përvoja frymëzuese nga organizata si Qendra “Rozalba”, Qendra Vatra, dhe Qendra Kombëtare për Trajtimin e Viktimave të Dhunës në Familje.
Përfaqësues të sektorëve shëndetësor, social dhe drejtësisë ndanë praktika të mira dhe identifikuan hapësira për bashkëpunim të mëtejshëm.
Konferenca përfundoi me formulimin e rekomandimeve kyçe për përmirësimin e shërbimeve të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore në të cilat përfshihet forcimi i kuadrit ligjor dhe politikave kombëtare, duke u përafruar me standardet ndërkombëtare, qasje të integruara dhe të përqendruara në viktimën, duke përfshirë sektorët shëndetësor, social dhe të drejtësisë.
Gjithashtu rekomandime të tjera janë trajnimi i specializuar për profesionistët, për të rritur efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve si dhe ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut, për të zvogëluar stigmatizimin dhe për të inkurajuar viktimat të kërkojnë ndihmë.
Vizioni për të Ardhmen
Të gjithë aktorët pjesëmarrës u zotuan për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të punuar drejt krijimit të një rrjeti shërbimesh gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore.
Marrëveshja e Grantit për fazën e dytë të projektit “Institucionalizimi i Shërbimeve Cilësore të Rehabilitimit dhe Riintegrimit për Viktimat e Dhunës” u nënshkrua gjatë konferencës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt arritjes së këtij qëllimi jo vetëm në Shqipëri por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
1 nga 37