Fuqizimi i grave në biznes, 2 sipërmarrëse shqiptare në “EXPO Capital Quest” në Kopenhagë

Tiranë, 5 qershor/ATSH/ Fuqizimi i grave në sipërmarrje dhe roli i tyre në zhvillimin ekonomik ishin në fokus të aktivitetit ndërkombëtar “EXPO Capital Quest”, ku mori pjesë edhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Ngjarja e organizuar nga UN Women dhe rrjeti i investitorëve EBAN në Kopenhagë, mblodhi gra sipërmarrëse, investitorë dhe përfaqësues të ekosistemit të biznesit nga rajoni.
Shqipëria u përfaqësua nga dy sipërmarrëset Nadiela Ahmeti nga Living App, dhe Erisa Hysi nga Lingua Serve.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave në ekonomi, duke theksuar se “kur gratë ecin përpara në biznes, ecën bashkë me to edhe e gjithë shoqëria”.
Ajo nënvizoi se fuqizimi i grave është në zemër të politikave për inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ministrja konfirmoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur gratë sipërmarrëse përmes politikave të dedikuara, fondeve të reja, mundësive për mentorim dhe mbështetjes në çdo cep të Shqipërisë. /j.p/
1 nga 10