E Martë, 3 Nëntor 2026

Rritet interesi për fondet private të pensioneve, mbi 46 mijë anëtarë në fund të marsit

Tiranë, 5 qershor/ATSH/ Fondet e pensioneve private po fitojnë gjithnjë e më shumë besimin e qytetarëve si një alternativë për sigurimin e të ardhmes financiare.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), deri më 31 mars 2025, numri i anëtarëve në fondet me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur arriti në 46377, duke shënuar një rritje prej 3,23% krahasuar me fundin e vitit 2024.

Kjo tendencë pozitive tregon për një ndërgjegjësim në rritje të individëve mbi rëndësinë e kursimeve shtesë për moshën e tretë, përtej skemave shtetërore të pensioneve.

Paralelisht me rritjen e anëtarësisë, edhe vlera e aseteve neto të administruara nga 7 fondet aktive në treg u rrit në 13,36 miliardë lekë (rreth 85,21 milionë euro), me një rritje prej 3,83% krahasuar me fundin e 2024-ës.

Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat” rriti ndjeshëm lehtësitë fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve. Kufiri maksimal i përjashtimit tatimor mujor shkon në nivelin e pagës minimale prej 40,000 lekësh, që përkthehet në një përjashtim vjetor prej 480,000 lekësh. Po ashtu, kontributet që paguhen nga punëdhënësi për punëmarrësin përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.

Ligji parashikon gjithashtu që pensionet të tatohen vetëm për fitimet nga investimi, nëse tërheqja bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite. Kjo nxit kursimet afatgjata dhe forcon mbështetjen për pensionet private në vend. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›