“Fushata” e korrjes së kanabisit, policia zbulon disa parcela, asgjësohen mijra bimë narkotike

Qarku i Shkodrës vijon ende të jetë një nga zonat më të nxehta sa i takon kultivimit të kanabisit edhe në këtë sezon. Blutë kanë arritur që të zbulojnë disa parcela me afro 6 mijë bimë dhe fidanë kanabis.
Ka qenë operacioni i koduar “Koordinata” që ka çuar në gjetjen e parcelave ku janë angazhuar forca të shumta policore nga toka dhe ajri me dronë e patrulla në terren.
Sipas policisë janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi, 2 inspektorë të mjedisit dhe 5 kryetarë të fshatrave ku ishin kultivuar bimët dhe fidanët.
Ndërkohë është shpallur në kërkim 1 person i dyshuar si autor i kultivimit të më shumë se 2 mijë rrënjëve, të cilat u zbuluan para pak ditësh në fshatin Vigë-Mnelë.
Kryesisht kontrollet janë ushtruar në zonat e thella malore si në Pult, Shalë dhe Shosh, Vaun e Dejës etj.
Edhe Policia e Tiranës ka arritur që të zbulojë në fshatin Zgërdhesh të Krujës 11 parcela në të cilat ishin kultivuar 591 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.
Pas këtij aksioni, blutë arrestuan 3 persona, dy prej tyre vëllezër. Në pranga janë vene Kastriot Bazja, Murat dhe Emiljano Seferi. Nga pamjet e siguruara nga policia, duket qartë që droni ka arritur që të filmojë edhe autorët që lëvizin në parcelat e kultivuara.
/vizionplus.tv