Shtohen akuzat për Talo Çelën, SPAK e heton edhe për vrasjen e Fatmira Dedjas

I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Talo Çela është vënë nën akuzë për një tjetër krim të rëndë.
SPAK po e heton atë si të përfshirë në vrasjen e Fatmira Dedajt, që u ekzekutua në garazhin e shtëpisë së saj.
Nën akuzë përfundoi edhe një tjetër i pandehur i dosjes “Plumbi i Artë”, Festim Qoli, që aktualisht është i arrestuar e po gjykohet për krime të tjera.
Në bashkëpunim ata akuzohen si autorë të vrasjes së të ëmës së Elvis Dedajt, e cila kërkonte informacion në prokurori për ekzekutimin e të birit.
Fatmira Dedaj dyshonte se djalin e saj ia kishte vrarë pikërisht Talo Çela, ndaj ky i fundit sipas organit të akuzës, mori hak.
Zbardhja e ngjarjes u bë nga bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani që ka deklaruar se ishte shofer, ndërsa Talo Çela ekzekutor.
Dumani thotë se pasi e vrau, Çela i mori edhe paratë Fatmira Dedajt që krimin ta bënte të dukej si grabitje. Talo Çela kërkohet nga SPAK prej majit të vitit 2022, por deri më tani nuk është gjendur vendndodhja e tij./vizionplus.tv