G7 – Starmer: SHBA-ja nuk është gati të ndërhyjë në konfliktin në LM

KANANASKIS, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer ka minimizuar mundësinë e ndërhyrjes së afërt të SHBA-së në Lindjen e Mesme, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump u largua papritur nga një samit i madh global mes konfliktit të ashpër midis Izraelit dhe Iranit.
Starmer tha se “asgjë” që dëgjoi nga presidenti i SHBA-së ”nuk sugjeronte se Uashingtoni ishte i përgatitur të ndërhynte, ndërsa udhëheqësit perëndimorë vazhdojnë të shtyjnë për një ulje të tensioneve midis dy armiqve të hershëm”.
Trump u largua nga konferenca e G7 në Kanada një ditë më parë për “angazhime të rëndësishme” dhe u bëri thirrje qytetarëve iranianë të evakuojnë Teheranin, duke shkaktuar spekulime se forcat amerikane mund të ndërhyjnë në Izrael.
I pyetur nëse SHBA-të mund të ndërhyjnë, pasi konflikti kërcënon të përshkallëzohet në një luftë të përgjithshme, Starmer u tha gazetarëve në konferencën në Kananaskis se “nuk ka asgjë që presidenti ka thënë që sugjeron se ai është në prag të ndërhyrjes në këtë konflikt, përkundrazi, deklarata e G7 ishte për ulje të tensioneve”.
Në një deklaratë të lëshuar të hënën para se Trump të largohej, udhëheqësit përsëritën “angazhimin e tyre për paqe dhe stabilitet”, por nuk bënë thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.
Starmer tha se formulimi “pasqyron me saktësi” diskutimet e aleatëve rreth tryezës.
“Nuk mendoj se asgjë që ka thënë presidenti, këtu apo diku tjetër, sugjeron këtë”, tha ai kur u pyet për perspektivën e përfshirjes së afërt të SHBA-së në konfliktin në LM./ /os/