GAZA – Hamasi: Po vlerësojmë planin për armëpushimin 60-ditor me Izraelin

GAZA, 2 korrik /ATSH-DPA/ – Në deklaratën e parë zyrtare që nga postimi i presidentit të SHBA-së Donald Trump, sipas të cilit ”Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për një armëpushim 60-ditor në luftën e Gazës”, Hamasi tha se ”ndërmjetësit po bëjnë përpjekje intensive për të kapërcyer dallimet midis palëve dhe për të arritur një marrëveshje kornizë që do të lejojë hapjen e një raundi serioz negociatash”.
”Po i qasemi situatës me shumë përgjegjësi duke zhvilluar konsultime kombëtare dhe duke diskutuar propozimet që na janë paraqitur, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do të sigurojë fundin e agresionit, tërheqjen e forcave dhe ndihmën humanitare emergjente për popullin tonë në Rripin e Gazës”, tha Hamasi.
”Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për një armëpushim 60-ditor në luftën e Gazës dhe tani i takon Hamasit ta pranojë marrëveshjen”, tha dje në mbrëmje presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Gjatë periudhës dymujore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me të gjitha palët për t’i dhënë fund konfliktit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje sepse situata nuk do të përmirësohet, por vetëm do të përkeqësohet”, tha Trump në postimin e tij./ /os/