Rama: Do të nisë sekuestrimi i ushqimeve pa faturë, informaliteti s’mund të prekë shëndetin e njerëzve

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se pas një periudhë dyjavore sensibilizimi që do të bëhet nga Ministria e Financave, do të nisë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore, duke nisur nga ushqimet e freskëta, që shiten pa faturë.
Në fjalën përmbyllëse pas diskutimeve të Ditës së Parë të Dialogut për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural mes fermerëve dhe sipërmarrësve në bujqësi, Rama theksoi se informaliteti nuk mund të shkojë deri në prekjen e shëndetit të njerëzve.
Sipas Ramës, do të kryhet fillimisht një proces paraprak sensibilizimi dhe më pas do të nisë sekuestrimi i prodhimeve ushqimore të pafaturuara.
“Një tjetër element shumë i qartë është se duhet të njësojmë TVSH-në. Është shumë e qartë kjo gjë dhe faktikisht është diçka që Ministria e Financave e ka përgatitur tanimë. Por nga ana tjetër për të ardhur tek financimi sipas njësive të prodhimit, kjo është diçka që e kemi thënë shpesh dhe tani duhet ta bëjmë, ashtu sikundër duhet të angazhojmë menjëherë strukturat e tatimeve, që të kryejnë një proces paraprak sensibilizimi, përpara se të ndërhyjnë me sekuestro, të të gjithë qumështit të pafaturuar. Nuk mund të lejohet më që t’u shiten konsumatorëve tanë, të shiten prodhime ushqimore të pafaturuara, qumësht i pafaturuar apo ushqime të tjera të freskëta të pafaturuara që mund të jenë të rrezikshme dhe mund të sjellin pasoja katastrofike për shëndetin e njerëzve.
Këtë gjë duhet ta kryejë me përparësi ministria e Financave me strukturat e tatimeve dhe të fillojnë menjëherë një proces sensibilizimi, që t’u thonë gjithë bizneseve të vogla se jemi në kushtet e një keqkuptimi: ju kemi dhënë mundësinë që të rriteni duke mos paguar asnjë taksë, me zero taksa, por ju kemi kërkuar, siç qeveria është bërë aleatja strategjike juaj në këtë drejtim dhe do të qëndrojë e tillë me zero taksë deri në 2029-n, ju do të jeni aleatë të qeverisë dhe shtetit, për ta garantuar se informaliteti nuk shkon deri në prekjen e shëndetit të njerëzve. Pas një periudhe jo të gjatë, dyjavore sensibilizimi, duhet të fillojë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore, duke filluar nga ushqimet e freskëta që janë pa faturë”, tha Rama.
/m.q//r.e//a.f/