GAZË – Spitali më i madh funksional përballet me katastrofë ndërsa Izraeli zgjeron ofensivën

GAZË, 11 korrik /ATSH/- Mjekët kanë paralajmëruar për rrezikun e një katastrofe të afërt në spitalin më të madh funksional të Gazës – për shkak të mungesës së karburantit dhe ofensivës tokësore izraelite në zgjerim në qytetin jugor, Khan Younis, sipas BBC.
Kompleksi Mjekësor “Nasser” u detyrua të ndalonte dje shtrimin e pacientëve, kur dëshmitarët thanë se trupat dhe tanket izraelite kishin avancuar dhe qëlluar drejt kampeve aty pranë ku strehohen familjet e zhvendosura.
Stafi mjekësor dhe dhjetëra pacientë në kujdes intensiv mbeten brenda spitalit, ku mungesa e karburantit kërcënon të mbyllë shërbimet.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite.
Një brigadë e blinduar po vepronte sot në Khan Younis për të çmontuar vendet e infrastrukturës terroriste dhe për të konfiskuar armët. Më herët, Izraeli ka lëshuar urdhra evakuimi për zonat përreth spitalit.
Ndërkohë, stafi mjekësor brenda spitalit “Nasser” u dërgoi mesazhe gazetarëve vendas duke shprehur frikën e tyre.
“Ne ende po punojmë në spital. Tanket janë vetëm pak metra larg. Jemi më afër vdekjes sesa jetës. Ajo që na duhet vërtet është – të ndalojmë makinerinë vrasëse. Vetëm një natë, një turn, vetëm një turn, pa marrë dhjetëra jetë “, thanë ata.
“Jemi të rraskapitur mendërisht dhe fizikisht. Po punojmë me burime minimale dhe me një mungesë shumë të madhe të pajisjeve dhe materialeve mjekësore. Por, ne duhet të vazhdojmë të punojmë sepse këto janë jetë që duhet t’i shpëtojmë”, tha stafi. //a.i/