E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENEVË – Komisioneri i OKB-së, Türk bën thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Iran

GJENEVË, 23 janar /ATSH-DPA/- Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës shtetërore kundër protestuesve në Iran dhe për lirimin e të gjithë të arrestuarve.

Gjatë një seance emergjente të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së sot në Gjenevë, ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e dhunës së jashtme.

Pa përmendur kërcënimet kundër Iranit të bëra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, Türk paralajmëroi për një përshkallëzim ushtarak.

“Retorika agresive dhe kërcënimet janë thellësisht kundërproduktive”, tha ai.

“Përgjegjësia për shkeljet e të drejtave të njeriut nuk mund të arrihet me forcë ushtarake që vjen nga brenda ose jashtë Iranit”, tha Türk.

“Të paktën 5 002 persona kanë vdekur në valën e fundit të protestave kundër qeverisë”, sipas agjencisë së lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran me qendër në SHBA (HRANA).

Seanca emergjente u mblodh me kërkesë të Gjermanisë dhe vendeve të tjera, të cilat kërkojnë në një rezolutë që komisioni, i cili u krijua në vitin 2022, të hetojë edhe dhunën e fundit.

Rezoluta pritet të votohet sot në mbrëmje. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›