GJENEVË – OKB: Të paktën 42 civilë të vrarë nga përleshjet ndërkufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit

KABUL/ISLAMABAD, 3 mars /ATSH-DPA/- Të paktën 42 civilë afganë janë vrarë dhe 104 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve ndërkufitare mes forcave afgane dhe pakistaneze, njoftoi sot Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).
Sipas UNAMA-s, viktimat u regjistruan në periudhën 26 shkurt – 2 mars, ndërsa luftimet kanë hyrë në ditën e gjashtë radhazi.
Sipas Misionit të OKB-së mes të vrarëve dhe të plagosurve ka gra dhe fëmijë.
Shumica e viktimave civile, janë shkaktuar nga goditjet me artileri që kanë rënë në zona të banuara, si dhe nga sulmet ajrore pakistaneze në provincat lindore të Afganistanit.
UNAMA paralajmëroi gjithashtu se rreth 16 400 familje janë zhvendosur për shkak të dhunës, duke e përkeqësuar edhe më tej krizën e rëndë humanitare që po përjeton vendi.
Misioni bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe respektim të detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar, veçanërisht për mbrojtjen e civilëve.
Pretendime të kundërta për humbjet
Ministri pakistanez i Informacionit, Attaullah Tarar, deklaroi se gjatë operacionit ushtarak të Pakistanit janë vrarë 464 luftëtarë talebanë dhe janë plagosur 665 të tjerë.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së talebanëve, Enayatullah Khowarazmi, tha në një konferencë për shtyp në Kabul se forcat afgane kanë ndërmarrë një kundërofensivë përgjatë vijës së Durandit – kufiri i diskutueshëm mes dy vendeve.
Sipas tij, 150 ushtarë pakistanezë janë vrarë dhe mbi 200 janë plagosur, ndërsa humbjet nga pala afgane janë 28 të vrarë dhe 42 të plagosur.
Ai e cilësoi operacionin si mbrojtës, duke shtuar se konflikti “nuk ishte zgjedhja e tyre”. Pretendimet e të dyja palëve nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Tensione në rritje
Dy vendet kanë pasur përplasje të herëpashershme që nga tetori i vitit 2025, ndërsa përpjekjet për ndërmjetësim nuk kanë arritur të rezultojnë me një marrëveshje të qëndrueshme.
Tensionet u përshkallëzuan sërish më 22 shkurt, kur Pakistani kreu sulme ajrore ndaj dy provincave afgane, duke vrarë të paktën 12 civilë, sipas OKB-së.
Islamabadi akuzon autoritetet talebane në Kabul se mbështesin Tehreek-e-Taliban Pakistan (TTP), një grup militant përgjegjës për sulme në Pakistan prej dekadash.
Qeveria talebane i ka mohuar këto akuza.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar shpreh shqetësim për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit. //a.i/