E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI – Ligj i ri kundër feminicidit: Vrasësi përjashtohet nga vendimmarrja për funeralin

ROMË, 3 mars /ATSH-ANSA/ – Parlamenti italian ka miratuar përfundimisht dhe me unanimitet një projektligj që i heq autorit të dyshuar të vrasjes çdo të drejtë për të vendosur mbi trupin e viktimës, nëse ajo është bashkëshortja, partnerja e bashkimit civil apo një familjar.

Nisma, e propozuar në Senat nga senatorja Giulia Bongiorno, synon të mbyllë një boshllëk ligjor që lejonte, sipas një rregulloreje të vjetër, që edhe autori i krimit të kishte të drejtë vendimmarrjeje për funeralin, varrimin e viktimës.

Sipas dispozitave të reja, çdo person nën hetim ose i pandehur për vrasjen e bashkëshortes, partneres apo një të afërmi, humb automatikisht këtë të drejtë.

Masa është menduar veçanërisht për rastet e femicidit, me qëllim mbrojtjen e dinjitetit të viktimës dhe parandalimin e çdo veprimi që mund të cenojë provat e krimit.

Projektligji u miratua me votë unanime në Dhomën e Deputetëve, duke reflektuar një konsensus të gjerë politik për forcimin e mbrojtjes ligjore në rastet e dhunës brenda familjes.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›