EGJIPT – Delegacioni i Hamasit mbërrin në Kajro për bisedime mes përshkallëzimit të situatës

KAJRO, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Një delegacion nga grupi islamist palestinez Hamas ka mbërritur në Kajro për bisedime pas një përshkallëzimi të dhunës në Rripin e Gazës, sipas burimeve egjiptiane.
Khalil al-Haya, zyrtari më i lartë i Hamasit jashtë vendit, thuhet se po kryeson delegacionin. Bisedimet janë planifikuar me ndërmjetësues, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.
Diskutimet thuhet se do të përqendrohen në përshkallëzimin e fundit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, si dhe në kalimin në fazën e dytë të planit të paqes në Gaza nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu votoi së fundmi në favor të një rezolute të paraqitur nga SHBA-të për të siguruar planin.
Incidentet e dhunshme të përsëritura në Rripin e Gazës kanë ngritur shqetësime në lidhje me vazhdimin e armëpushimit.
“Të paktën 22 persona u vranë dje në sulmet izraelite”, sipas autoritetit shëndetësor në Gaza, të cilin e kontrollon Hamasi.
Ushtria izraelite deklaroi se këto ishin përgjigje ndaj shkeljeve palestineze të armëpushimit dhe sulmeve ndaj trupave të saj që ende kontrollojnë më shumë se gjysmën e Gazës.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjatë mbledhjes javore të kabinetit në Jerusalem se Izraeli do të bënte gjithçka për të parandaluar një rikthim të Hamasit dhe milicisë Hezbollah të mbështetur nga Irani.//a.i/